Kampionët në fuqi kanë shënuar suksesin e radhës në kampionat. Gjithsesi, edhe pse doli me fitore nga transferta e luajtur në Vlorë, Teuta nuk e pati të lehtë ndaj Apolonisë, me skuadrën fierake që provoi deri në fund. Një ndeshje, e cila u mbyll me triumfin minimal 64-65 të durrsakëve të Melzin Lazimit.
Ndonëse Teuta krijoi një epërsi prej 8 pikësh në minutat e para, Apolonia reagoi në fundin e periodës së parë, që përfundoi në ekuilibër 17-17. Çereku i dytë ishte disi më i mirë për bregdetarët, që fituan 12-15, duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve me avantazhin 29-32. Edhe perioda e tretë u kontrollua nga durrsakët, të cilët fituan 19- 21, duke kryesuar 48-53 pas 30 minutash.
Teuta shkëputet në +13 pikë kur kishin mbetur diçka me tepër se dy minuta nga sirena përfundimtare. Por kur dukej se suksesi i miqve ishte një formalitet, Apolonia fiton terren duke u afruar ndjeshëm, ndërsa një kosh 5 sekonda nga fundi për 3 pikë nga Whitfield i afron vendësit deri në 1 pikë.
Gjithsesi, rezultati nuk ndryshon, me Teutën që siguron fitoren e dhjetë sezonale, duke ruajtur pozitat në krye të Superligës. Petterson me 17 pikë ishte shënuesi më i mirë për durrsakët. Për Apoloninë s’mjaftuan 21 pikët e Jenkins.