Është luajtur edhe finalja e tretë e basketbollit mes Teutës dhe Vllaznisë, sfidë e cila u luajt në Durrës. Pas dy finaleve të para, rezultati ishte i barabartë 1-1, me Teutën që fitoi në Durrës dhe me Vllazninë që fitoi në Shkodër.
Sfida e tretë, u fitua nga Teuta me rezultatin 96-68, gati 30 pikë diferencë, duke treguar dominimin që pati ekipi vendas në këtë sfidë. Kjo sfidë ishte vlerësuar shumë nga Vllaznia, që vuri në dispozicion edhe një autobus falas për tifozët e saj, por në fund nuk ia dolën që të shmangnin humbjen.
Tashmë, Vllaznia duhet të përmbysë gjithçka që të shpallet kampione e Shqipërisë, pasi ekipi që fiton tri finale, shpallet kampion. Teuta me dy fitore, është shumë pranë titullit, ndërsa Vllaznia, ka një malore përpara. Sfida e radhës, që është finalja e katërt, do të luhet në Shkodër.