Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka përfunduar fazën e parë. Durrsakët e Nikola Milatoviçit nuk falën në “Ramazan Njala”, teksa e likuiduan Flamurtarin me rezultatin 102-80 në një takim të udhëhequr nga fillimi e deri në fund. Teuta e nisi me përqendrimin e duhur lojën, duke e treguar forcën që në periodën e parë.
Bregdetarët luajnë mirë në të dyja fazat për ta fituar çerekun e parë 32-16. Në periodën e dytë vlonjatët përmirësohen, teksa ky fraksion loje mbyllet 21-26 në favor të tyre, ndërsa shifrat e përgjithshme pas 20 minutash shënojnë 53-42 për vendësit.
Megjithatë, në pjesën e dytë durrsakët e kontrollojnë qetësisht takimin, për ti fituar edhe dy periodat e mbetura, përkatësisht 22-14 dhe 27-24, duke vulosur suksesin final me 22 pikë diferencë, falë një lojë mjaft të mirë grupi.
I gjithë formacioni i Teutës e mbylli sfidën në dopioshifër pikësh, ndërsa rendimentin më të lartë e shënoi Patrick Bacon, autor i 26 pikëve, 10 kërcimeve dhe 5 asistimeve. Për Flamurtarin nuk mjaftoi Dyquavis Wilkins, protagonist me 28 pikë, 9 kërcime dhe 7 asistime. Me këtë fitore Teuta e përfundon fazën e parë në vend të katërt, ndërsa vlonjatët pozicionohen në vend të shtatë.