Superliga e basketbollit të meshkujve ka luajtur dje ndeshjet e javës së 10-të, të cilat shënojnë edhe mbylljen e gjysmës së parë të sezonit të rregullt.

Teuta ka marrë hak për humbjen e pësuar në Kupë ndaj Tiranës, teksa i ka mposhtur bardheblutë në Durrës në shifrat 87-83 (23-20, 27- 22, 22-22, 15-19).

Ashtu sikurse pritej, ndeshja ishte shumë e luftuar, e shoqëruar me rivalitet të lartë ku nuk mungoi as tensioni, sidomos në dy periodat e fundit.

Durrsakët u futën në fushë më të motivuar, duke u treguar menjëherë agresivë. Me kalimin e minutave të para ekipi i Lazimit mori epërsi të lehtë, për ta mbyllur çerekun e parë 23-20.

Edhe perioda e dytë vijoi me të njëjtën mënyrë loje. Pak minuta nga fundi Teuta kaloi disa momente shumë të mira dhe shkoi në pushim më 8 pikë avantazh, 50-42.

Fillimi i periodës së tretë ishte shokues për Tiranën, pasi vendasit në vetëm pak minuta kaluan në +17 pikë.

Kjo solli edhe nervozizëm te miqtë e, në nerva e sipër, Clark, pasi kishte plotësuar numrin e personaleve, goditi stolin duke e thyer, veprim që solli ndërprerjen e takimit për disa minuta.

Por bardheblutë, të freskët nga fitimi i Kupës, nuk u dorëzuan dhe 5 minuta nga fundi i takimit u afruan deri në -2 pikë, me rezultatin që shënonte 80-78.

Megjithatë, Teuta ia doli ta administronte deri në fund epërsinë.

Plot 6 lojtarë të Teutës prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa më efikasët ishin Peterson dhe Bruce me nga 19 pikë secili, ndërsa ky i fundit regjistroi edhe 15 kërcime.

Te Tirana, Julian Hamati, autor i 31 pikëve ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes.

Endrit Hysenagolli vijon të bëjë paraqitje shumë të mira duke u “abonuar” me dopietat dyshifrore, por 19 pikët dhe 16 kërcimet në tabelë nuk shërbyen për t’u dhënë fitoren bardhebluve.