Liga Unike e basketbollit të meshkujve nisi dje takimet e javës së dytë në Grupin A me një ndeshje mes skuadrave të Shqipërisë, Besëlidhjes dhe Teutës. Dominues absolut në arenën kombëtare, lezhjanët po shkëlqejne edhe në atë mbarëkombëtare, teksa shënuan suksesin e dytë në grup. Ekipi i drejtuar nga trajneri Afrim Bilali fitoi me rezultatin treshifror 100-89 në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në një sfidë që nuk kaloi pa rivalitet. Durrsakët e filluan shumë mirë, jo vetëm duke rezistuar, por madje arritën që të merrnin periodën e parë 20-25. Por më pas erdhi reagimi i skuadrës verioren, me lezhjanët që fituan çerekun e dytë 21-13, duke përmbusyr në 41- 38 pas 20 minutash lojë.

Edhe me rikthimin në parket, lezhjanët u treguan superiorë, ndërsa morën periodën e tretë 28-21, duke thelluar në 69-59 pas 30 minutash lojë. Perioda e fundit vijoi me ritëm të lartë ofensiv nga të dyja kampet, fraksion që u mbyll 31-30 për Besëlidhjen. Kështu lezhjanët vulosin gjithçka me +11 pikë, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në fazën finale, ndërkohë që Teuta shënoi humbjen e dytë në grup. Me gjashtë lojtarë në kuotë dyshifrore pikësh, për Besëlidhjen më të mirët në këtë takim ishin Edmonds me 16 pikë e 10 kërcime dhe Hamati me 17 pikë e 12 kërcime. Për durrsakët nuk mjaftoi paraqitja e shkëlqyer e amerikanit Wright, shënuesi më i mirë i takimit me 29 pikë.