Teuta në basketboll për meshkuj do të marrë pjesë në Ligën Ballkanike këtë edicion. “Djemtë e Detit”, kanë bërë një sezon mjaft të mirë duke fituar Superkupën e Shqipërisë, si dhe dolën në finale të kampionatit ku u mposhtën nga Tirana në ndeshjen e pestë finale (3-2). Bregdetarët janë ekipi i dytë që konfrimon pjesëmarrjen në këtë kompeticion pas Tiranës, kampione e Shqipërisë. Teuta i ka dhënë një rëndësi të madhe basketbollit në vitet e fundit dhe rezultatet duken në fushë.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp në faqen zyrtare klubi njofon pjesëmarrjen në Ligën Ballkanike.“Teuta pas sezonit të suksesshëm që sapo u mbyll, do t’i bashkohet Ligës Ballkanike! Kemi bërë një rrugëtim të gjatë e të lodhshëm këto 4 vitet e fundit, që më në fund na u shpërblye me fitoren e Superkupës dhe pjesëmarrjen në këtë ligë ndërkombëtare. Falënderojmë lojtarët e ekipit, stafin e trajnerëve, bordin e menaxhimit dhe veçanërisht Bashkinë e Durrësit për mbështetjen. Një falënderim i veçantë i shkon edhe tifozërisë durrsake, që na ka qëndruar pranë në këtë rrugëtim! Para Teuta!”, thuhet në deklaratën e klubit bregdetar.

Teuta e nisi sezonin e kaluar me në krye trajnerin Xhelal Kalaja, por më pas drejtuesit vendosën të afronin edhe Boban Niniç, si ndihmës trajner, por më pas ai mori drejtimin e skuadrës. Rezultatet e arritura në parket kanë bindur drejtuesit të marrin pjesë edhe në këtë kompeticion pretigjoz, ku deri tani numri i ekipeve pjesëmarrëse ka shkuar në gjashtë, pas konfrimimit nga dy ekipe nga Bullgaria dhe dy nga Maqedonia.