Humbja ndaj Partizanit në Durrës dy javë më parë i ka kushtuar shtrenjtë trajnerit Boban Ninic, që është larguar nga detyra e trajnerit të Teutës.
Sipas një postimi që ekipi durrsak ka bërë në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, në krye të “djemve të detit” është malazezi Miodrag Baletic, një trajner me përvojë në arenën ndërkombëtare.
Baletic ka një karrierë të gjatë, duke drejtuar skuadra me emër në Malin e Zi, Serbi, Bosnjë, Maqedoni, Kosovë dhe Francë. Ai ka qenë edhe trajner i ish-Jugosllavisë si dhe i kombëtares së femrave të Malit të Zi.
Trajneri i ri ka qenë në stol në ndeshjen që Teuta luajti dhe fitoi pak ditë më parë ndaj Vllaznisë në Shkodër me rezultatin 78-56. Ai pritet t’i japë një hov tjetër lojës së ekipit durrsak në kampionat, ndërkohë që do të drejtojë Teutën edhe në Ligën Ballkanike.
Në kampionat, Teuta ndodhet në vendin e dytë pas 7 javësh, me 5 fitore e dy humbje.





