Superliga e basketbolli të meshkujve ka nisur fazën e tretë. Teuta, Besëlidhja e Apolonia e kanë rifilluar me këmbë të mbarë kampionatin. Durrsakët vijojnë të shkëlqejnë në të gjitha kompeticionet gjatë këtij sezoni. Pasi e mbyllën 2022-shin me triumfin në Superkupë dhe pasi ngritën dy javë më parë kupën, bregdetarët e trajnerit Melzin Lazimi nuk falin as në kampionat. Kështu, Teuta siguroi suksesin e nëntë në Superligë duke mundur Kamzën 92-84.
Një ndeshje që i pa kampionët në fuqi në avantazh gjatë të gjithë kohës, ndërsa miqtë nga Kamza provuan të reagonin në periodën e fundit. Perioda e parë ishte e luftuar, me bregdetarët që fituan ngushtë 20-18. Më tej vendësit e rritën ndjeshëm ritmin, duke u shfaqur dominues në parket për t’i fituar dy periodat e radhës bindshëm 27-18 dhe 24-14, me rezultatin që shënonte 71-50 pas 30 minutash lojë.
Por Kamza nuk dorëzohet dhe nis rikuperimin duke i trembur durrsakët, teksa ngushton në 88-84 kur kanë mbetur 35 sekonda nga fundi.
Gjithsesi, Teuta e mbron epërsinë në shifra të përgjithshme për të ruajtur edhe vendin e parë në renditje. 4 lojtarë të Teutës prekën dopioshifër pikësh, ndërsa protagonisti absolut ishte Avery Sullivan me 30 pikë dhe 12 ribaunde. Edhe në radhët e Kamzës gjithashtu 4 lojtarë arritën kuotë dyshifrore pikësh, ku më i miri Justin Thomas me 26 pikë.