Java e 19-të e Superligës në basketboll për meshkuj është mbyllur me ndeshjen Teuta-Kamza Basket, fituar 81-70 nga durrsakët. Takimi i luajtur në Durrës është dominuar dhe fituar me meritë nga basketbollistët vendës, që korrën suksesin e 14-të sezonal dhe konfirmohen si forca e dytë ne vend, pas Goga Basket.

Për Teutën ndeshja dhe fitorja nuk kishte shumë rëndësi, pasi e ka siguruar vendin e dytë, por për Kamzën kjo sfidë ishte jetike për mbijetesën. Miqtë nga kryeqyteti dueluan fort për të rivalizuar e fituar, por pa sukses. Humbja ndërlikon shumë pozitat e Kamzës, që qëndron në vendin e parafundit, me pikë të barabarta me Vllazninë e vendit të fundit.

Vendi i fundit në Superligë bie direkt në Kategorinë e Parë sezonin tjetër, ndaj Kamza e Vllaznia do të duelojnë në distancë në javën e 20-të për mbijetesë. Për sa i përket Teutës, fitorja është një sinjal pozitiv pas humbjes në finalen e Ligës Ballkanike tri ditë më parë.