Kampionët në fuqi duket se tashmë i kanë lënë plotësisht pas krahëve luhatjet në rezultate të disa javëve më parë. Bregdetarët e Melzin Lazimit shënuan një tjetër fitore, teksa mundën Apoloninë me rezultatin 80-69 (23-17, 22-21, 21- 14, 14-17).
Sfida e zhvilluar në “Ramazan Njala” ishte interesante, ndërsa miqtë nga Fieri i nisën mirë duke kryesuar për një pjesë të mirë kohe gjatë periodës së parë.
Më tej Teuta reagoi, për ta marrë lojën në kontroll, duke siguruar kështu suksesin e 13-të sezonal.
Me 18 pikë, 10 ribaunde dhe 2 asiste, Sullivan bëri diferencën për Teutën. Ndërsa Whitfield me 20 pikë ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes, por pikët e amerikanit nuk iu shërbyen miqve për ta shmangur humbjen.