Superliga e basketbollit të meshkujve ka zhvilluar takimet e javës së 18-të. Teuta fitoi bindshëm kryendeshjen e javës kundër Tiranës. Superfida e javës së 18-të mes Teutës dhe Tiranës u fitua thellë nga bregdetarët me rezultatin 90-63 (21-10, 25-20, 27-10, 17-23).
Kampionët në fuqi nuk falën në “Ramazan Njala”, duke u shfaqur dominues ndaj bardhebluve, teksa këta të fundit ndërprenë në Durrës serinë pozitive prej 5 fitoresh radhazi në kampionat.Teuta e udhëhoqi takimin nga fillimi e deri në fund, madje duke shkuar deri në +39 pikë avantazh. Ky ishte suksesi i 14-të në Superligë për durrsakët, të cilët mbeten në vend të parë.
Duke kaluar te paraqitjet individuale, 5 lojtarë nga Teuta arritën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa rendimentin më të lartë e kishin Avery Sullivan me 19 pikë e 12 ribaunde si dhe Marcus Patterson me 20 pikë.Për skuadrën e Erkand Karajit shkëlqeu i zakonshmi Endrit Hysenagolli, i cili shënoi dopietën e radhës dyshifrore me 17 pikë e 14 ribaunde.