Nga Mila Ballhysa

Sikur Rama të na e bojë Durrësin siç ka bo Vlorën, për ne do të jetë shumë mirë!

Rama do ta bojë Durrësin si …., siç e ka bo deri tani!

E shara me zë të lartë dhe në një vend publik (shumë pranë stacionit të autobuzëve) u shoqërua me të qeshurat e një grupi burrash që po diskutonin plot pasion të mirat apo të këqia që mund t’i vijnë Durrësit nga kryeministri Rama.

“Durrësi të ndëshkon me votë”,– ia preu një i tretë, pasi u sheshua disi reagimi që shkaktoi sharja me pullë të kuqe në adresë të kryeministrit. E kam dëgjuar shumë herë ndër vite këtë shprehje, por nuk di nëse duhet t’i besoj a jo.

Marrja e drejtimit politik të qarkut të Durrësit nga vetë Rama ka qenë ndër temat më të diskutuara ditët e fundit nga qytetarët durrsakë. Disa e presin me shpresë, se mbase për hir të fushatës do të rregullojë disa gjëra në qytet, të tjerë e presin me gëzim pasi janë të bindur se pikërisht në qytetin bregdetar do t’i vijë humbja kryeministrit, por ka dhe nga ata që të dëmtuar nga tërmeti apo të mbetur pa punë e pa të ardhura nga pandemia Covid-19 shohin xhepat bosh dhe nuk dinë si do të shtyjnë muajin. Për ta pak rëndësi ka se kush drejton politikisht qarkun nga e majta apo e djathta, për ta është e rëndësishme mbijetesa.

Ndërsa në vitet e para të demokracisë Durrësi cilësohej nga të gjithë një qytet i djathtë, balanca mes të djathtës e së majtës u normalizua disi gjatë dy mandateve të ish-kryeministrit Nano. Në vitin 2005, qyteti bregdetar i dha PD-së një fitore tenistike 6-0, në përballje të drejtpërdrejtë në maxhoritar, në 6 zona elektorale. Vetëm dy vite më vonë, fitorja do të zbehej tërësisht në zgjedhjet lokale të 2007-ës, kur Vangjush Dako do të fitonte mandatin e tij të parë si kryebashkiak me 300 vota diferencë me rivalin e tij Armand Teliti. Ndërsa goditja më e fortë për PD-në do të vinte në vitin 2017, kur arriti të siguronte vetëm 4 mandate në qarkun me 14 deputetë.

Nëse Durrësi ndëshkon vërtet me votë kjo mbetet për t’u parë vitin e ardhshëm.

“Unë kam marrë përsipër të kujdesem për Durrësin sepse është një zonë me rëndësi të posaçme në këtë fazë kur ne na duhet të ndërtojmë aty një shembull spektakolar të ndërtimit pas gjithë asaj tragjedie që kaloi Durrësi. Është pjesa më e dëmtuar dhe pjesa më sfiduese e rindërtimit pasi aty do të duhet të bëjmë një punë shumë të madhe. Kemi ecur shumë me projektet. Siç dihet ose për atë që se dinë e përsëris se për rindërtimin në Durrës ne kemi një marrëveshje që unë e kam bërë me princin e Emirateve të Bashkuara. Janë Emiratet e Bashkuara që do të na mbështesin financiarisht dhe me ekspertizë teknike në mënyrë që të arrijmë të bëjmë diçka fantastike në Durrës”– deklaroi sot kryeministri gjatë një interviste.

Ashtu si në periudhën e pastërmetit, kur njerëzit ishin ende të shokuar nga të vdekurit, dëmet dhe lëkundjet e tokës që vazhdonin dhe Rama dilte pa mbarim në lidhje live nga qytetet e goditura më shumë (madje komandonte edhe qentë se kur duhej të lehnin), kryeministri do të marrë vetë meritat e projektit të rimëkëmbjes së Durrësit. Deri më tani, njerëzit janë shumë të pakënaqur, në pallatet shumëkatëshe fati i të cilave nuk dihet, apo në çadra ku verës plas vape dhe dimrit than të ftohtit.  

Nuk është çudi që vendin e Ramës që shpërndante certifikatat e legalizimeve ta zërë tashmë në fushatën e ardhshme zgjedhore kryeministri që dorëzon çelësat e shtëpive të reja apo reklamon riparimet, rikonstruksionet apo rindërtimet e pallateve të reja.

Me një bilanc aspak pozitiv gjatë këtyre 3 viteve, me një emigracion në shifra të frikshme, me varfëri të shtuar për shkak të tërmetit dhe pandemisë, me një popullsi që po plaket me shpejtësi dhe miliona që shkojnë për koncesione dhe PPP-ra, Rama do të tentojë të “rilindë” në Durrës nga post tërmeti.

Jo më kot në të gjitha statuset e tij për rindërimin e shkollave ai përsërit shprehjen se “në vend të godinave të sojsojshme” do të ngrihen institucione arsimore njësoj si në komunat evropiane. Rama me sa duket harron apo nuk do të kujtojë se disa nga ato godinat e sojsojshme janë ndërtuar apo rikonstruktuar gjatë mandateve të kryebashkiakëve të partisë që ai drejton. Por ashtu si me Rilindjen Urbane, edhe me atë që ai mund ta konsiderojë Rilindja e Durrësit gjithçka fillon nga koha kur vetë Rama nis ndërton e riparon. 

Nëse do ia dalë mbanë që në Durrës të fitojë një mandat të tretë do të jetë para së gjithash fitore personale e tij, ashtu si dhe humbja do të jetë personale.

Duket se bastin e tij për mandatin e tretë ai e ka vënë me Durrësin. Mbetet për t’u parë nëse Durrësi ndëshkon apo jo me votë!