TIRANË, 17 maj 2013 –Dhe pse shtatshkurtër dhe që nuk shquhet për përgatitje fizike, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako do të mbajë në kurriz kreun e njërës prej partive demokristiane, Nikollë Lesi, nëse opozita nuk fiton 77 mandate!

Finalja e emisionit të përjavshëm “Top-Story” i gazetarit Sokol Balla në mbrëmjen e 16 majit 2013, u shtendos nga një bast i çuditshëm “live”.

I paraqitur nga “Top-Channel” si “një prej hartuesve kryesorë të listave të Partisë Socialiste” (vetëm në Durrës apo në shkallë kombëtare, kjo nuk u tha) qytetari nr. 1 i Durrësit deklaroi se opozita më 23 qershor merr të paktën 77 mandate.

Kurse kryetari i një partie të vogël të djathtë, Lëvizja Demokristiane, i paraqitur nga Balla që e ka pasur pronar kur punonte si gazetar te “Koha jonë” si “babai i gazetarisë shqiptare”(?!) Nikollë Lesi, tha se koalicionet janë në balancë.

Lezhjani me banim në Tiranë propozoi që, nëse opozita do të merrte 77 mandate, ai do të pastronte plazhin e Durrësit për dy muaj me radhë pa pagesë, ndërsa nëse merrte 70-72 mandate, përmetari i lindur dhe rritur në Shkozet do të transportonte mbi shpinë Lesin nga Sheshi “Nënë Tereza” deri te Stacioni i Trenit!

Nikollë Lesi është goxha i shëndoshë.

A do të ketë fuqi “Gjushi” ta mbajë në kurriz “Nikun”?

Apo PS-ja mund të fitojë bindshëm dhe në organikën e komunales së Plazhit do të shtohet një “punëtor”, i cili për dy muaj nuk do të futet në bordero, thjesht si një politikan i çuar në “prodhim” për riedukim nga humbja e bastit televiziv.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/