Durrës, 2 prill 2014 – Idriz Batha, autori i golit që i dha tri pikët Teutës kundër Kastriotit, ka besim se skuadra do ta arrijë objektivin. Mesfushori gjirokastrit, i cili u huazua nga Besa për pjesën e dytë të sezonit, u shpreh se fitorja e fundit ka shtuar optimizmin në ekip.

“Fitorja ndaj Kastriotit ka shtuar optimizmin në radhët tona, pasi përveç lojës së mirë kemi nisur të marrim edhe rezultate të kënaqshme. Skuadra ndihet më në formë se kurrë dhe e gatshme për t’u përballur pa frikë me çdo kundërshtar. Teuta e nisi shumë mirë fazën e parë, ndërsa më pas erdhën ndryshimet në staf dhe organikën e skuadrës. Normalisht me ndryshimet ekipi duhej të mësohej dhe tashmë ka ardhur në formën më të mirë. Teutën në fund të sezonit e shikoj të ketë arritur objektivin për pjesëmarrjen në Europë, duke ngritur edhe kupën”,- thotë futbollisti.

Tashmë durrsakët i presin dy duele me Kukësin një për kampionat dhe një për kupë, duele të vështira për të cilat Batha shprehet se do të japin maksimumin, veçanërisht për ndeshjen e kthimit për gjysëmfinalen e Kupës, e cila do të luhet të mërkurën e javës së ardhshme.

“Sigurisht do të jenë dy ndeshje shumë të forta, tek të cilat ne mendojmë dhe besojmë se mund të marrim maksimumin. Ndeshja e parë do të jetë për kampionat, ku me një fitore të mundshme i afrohemi ndjeshëm objektivit. E konsideroj si një sfidë mjaft vendimtare, të cilën duhet ta fitojmë. Ndërsa përballja e dytë do të jetë më e rëndësishme, sepse bëhet fjalë për të kaluar në finalen e Kupës. Është vetëm një ndeshje dhe ne do të japim 200% të mundësive tona për ta mundur në fushën tonë Kukësin dhe për të kaluar në finale. Rezultati i ndeshjes së parë (3-2) na favorizon, pasi mund të kalojmë në finale vetëm me një fitore minimale. Kukësi është një skuadër shumë e fortë, por ne kemi besim tek aftësitë tona dhe do t’ia dalim. Pavarësisht rezultatit në Kukës, mendoj se skuadra luajti shumë mirë në sfidën e parë. Për të mposhtur kuksianët dhe për të dalë në finale, na duhet të japim maksimumin tonë në fushë, duke sulmuar pa pushim dhe në të njëjtën kohë të jemi të kujdesshëm mbrapa”,- tha Batha.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/