DURRËS, 24 TETOR 2014– Roja e Financës dhe karabinieria në luftën antidrogë po përdorin me sukses qentë për të zbuluar drogën e fshehur nga trafikantët shqiptarë. Në dy episode të ndryshme të mërkurën e kaluar (22 tetor 2014), në sajë të nuhatjes së tre qenve antidrogë, financierët dhe karabinierët arritën të zbulojnë kokainë, marijuanë dhe heroinë të fshehur në automjetet dhe banesat e trafikantëve. Ishin pikërisht qentë Amanda e racës Pastor gjerman, Baçi i racës Labrador dhe Batman i racës Pastor gjerman, që çuan në arrestimin e katër narkotrafikantëve shqiptarë.
Qentë Baci dhe Amanda me nuhatjen e tyre arritën t’i zbulonin një shpërndarësi droge shqiptar në qytetin e Ravenës, 50 gramë marijuanë e 8 gramë kokainë. Nga kontrolli në banesë u sekuestruan edhe 120 euro kesh të dyshuara, si fryt i rrjedhur nga shitja e drogës, si edhe një peshore preçizioni. Gjykata e dënoi me gjykim të drejtpërdrejtë “viktimën” e Amandës me 1 vit burg dhe 1.200 euro gjobë.
Në rastin tjetër karabinierët e qytetit të Bolxanos (Bolzano) me ndihmën e qenit Batman zbuluan të fshehur në një furgon, tri pako me heroinë të pastër, me peshë të përgjithshme prej 1,5 kg. Karabinierët për këtë sasi kokaine arrestuan 3 shqiptarë, dy prej të cilëve kishin precedentë penalë për drogë.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





