Nuk kanë munguar edhe batutat gjatë inaugurimit të nënstacionit të Babicës, pjesë e Interkonjeksionit të Unazës së Jugut, ku kryeministri ka ftuar jo vetëm investitorët gjermanë të afrohen në Shqipëri për biznes, por edhe vajzat germane që të martohen me djemtë shqiptarë.
Duke marrë shembull një vajzë nga Gjermania që është martuar me një inxhinier shqiptar, Rama i sugjeroi asaj që të sjellë edhe shoqe të tjera të pamartuara në Shqipëri, sepse këtu ka shumë djem beqarë të mrekullueshëm.
“Ajo që po ndodh mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në sektorin energjetik, falë jo vetëm investimeve, e përsëris, por falë dijes, që bujarisht KFW-ja e eksporton drejt Shqipërisë, është një shembull kuptimplotë për të gjithë ata që duan të shohin se çfarë potenciali i madh është për Shqipërinë kjo miqësi dhe kjo marrëdhënie, ky partneritet kaq strategjik ku ne duam të bëjmë më të mirën që të kemi sa më shumë prezencë të investimeve, sipërmarrjeve, turistëve gjermanë në Shqipëri.
Padyshim, jam i bindur se do të mund të marrim dhe shumë nuse të tjera nga Gjermania falë të gjithë atyre që mrekullisht i përshkroi nusja jonë më e re.
Falë edhe faktit që përveç natyrës, klimës, energjive, gjithë atyre gjërave që tek shqiptarët i tërheqin gjermanët dhe vajzat gjermane, do të gjenden dhe të tjerë si inxhinieri yt i mrekullueshëm që të sigurojmë se nuk është i vetmi, megjithëse ti pate fatin që e gjete. Po si ai kemi dhe shumë të tjerë, kështu që shpresoj që shumë shpejt të kthehesh në Shqipëri me shoqe të pamartuara dhe inxhinieri të bëjë prezantimet e duhura me shokët e tij të pamartuar”, tha Rama.