9 korrik 2015 – Jo vetëm tema serioze siç është integrimi në BE apo azilkërkuesit, por edhe batuta e shaka janë shkëmbyer mes kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel në këtë vizitë të saj të parë në Shqipëri.

Teksa mbante fjalën e tij në forumin ekonomik, Rama i tregoi kancelares Merkel dashurinë e madhe që shqiptarët kanë për futbollin gjerman, të cilët më tepër kur Gjermania fiton kampionatet, ka më shumë shqiptarë të gëzuar sesa kur Partia Socialiste fiton zgjedhjet.

“Kancelare, ne s’kemi koalicion të madh në Shqipëri me partinë simotër të CDU-së, po mos u shqetëso, sepse kur Gjermania fiton kampionatet, ka më shumë shqiptarë të gëzuar sesa kur Partia Socialiste fiton zgjedhjet. Madje, besoj se ne përbëjmë një përjashtim unikal në Europë, sepse kur në nëntor të vitit 1983 u luajt në Saarbrucken, një ndeshje e famshme në grupin eliminator mes kombëtares sonë e tuajës, juve gjermanëve ju duhej medoemos fitorja për të vazhduar më tutje, shqiptarët këtu u hodhën përpjetë nga gëzimi, kur Shqipëria hëngri gol në minutat e fundit dhe humbi ndeshjen”, tha Rama.

Vetë kancelarja gjermane u pa teksa buzëqeshte ndërsa dëgjonte fjalimin e kryeministrit Rama për tifozët shqiptarë të futbollit gjerman.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/