Është padyshim një nga emrat e momentit. Fisnik Asllani po shkëlqen për Kosovën dhe për Hofenhajmin, ndërsa mediat gjermane shkruajnë se ky yll 23-vjeçar po bën një kërcim të madh, që mund të konsiderohet një fluturim. Bajerni dhe Barcelona janë në garë për të, me bavarezët që besohet se kanë një avantazh sepse shqiptari nga Kosova luan pikërisht në Gjermani, ndërsa padyshim që ai do të firmosë një kontratë prej ëndrrash.

Rroga në 2026 mund të jetë disa milionë euro në sezon, në krahasim me qindra mijë që fiton aktualisht, e sidomos në krahasim me statusin e amatorit që ka pasur deri pak kohë më parë. Kur ishte tek Union Berlini dhe në fillim tek Hofenhajmi, Asllani nuk kishte kontratë profesioniste siç shkruan e përditshmja “Bild”, diçka që e fitoi vetëm kur ishte gati 19 vjeç.Po ashtu, ndonëse kartoni I tij vlerësohet në 18 milionë euro, për të janë paguar deri tani vetëm 100 000, aq sa ishte huazimi nga Hofenhajmi tek Elfersbergu.

Kjo pritet të ndryshojë, pasi Bajerni apo Barcelona mund të japin 20 milionë euro për të, apo ndoshta edhe më shumë.Këtë sezon, me fanelën e Hofenhajmit ka realizuar 6 gola e ka dhënë dy asistë në vetëm 10 ndeshje, ndërsa në karrierë në total ka shifra impresionuese: 85 rrjeta 36 pasime për gol në 170 ndeshje.Për Kosovën, realizoi golin e madh në fushën e Suedisë, në fitoren 1-0, sukses që mund t’i sigurojë më pas “dardanëve” kualifikimin për në plej ofin e Kupës së Botës.