13 maj 2015 – Dy vjet më parë, mbërritja e Guardiolës në stolin e Bayernit u pa si nisja e një epoke të re e të lavdishme pas kapitullit të suksesshëm që Heynckes mbylli me tre tituj në 2013-ën. Bavarezët kishin arritur në tre finale të Championsit në vitet 2010, 2012 e 2013 para Guardiolës, ndërkohë që me të Bayerni nuk ka mundur të kalojë pragun e gjysmëfinaleve.

Drejtuesit ambiciozë të kampionëve të Gjermanisë dëshironin me çdo kusht lavdinë europiane e madje e donin sa më parë dhe kush do të ishte ideali për këto objektiva? Pa dyshim që Pep Guardiola është ndër trajnerët më të mirë të momentit. Ai mori mbështetjen e drejtuesve që në fillim dhe askush nuk dyshoi tek aftësitë e tij, edhe pse Bayerni humbi me Leverkusenin, Augsburgun, u eliminua nga Kupa e Gjermanisë apo pse u turpërua 3-0 nga Barcelona. 14 tituj në 4 sezone te Barcelona, duke përfshirë edhe dy trofetë e Championsit, por humbja e Bayernit kundër blaugranave me rezultatin e përgjithshëm 5-3 u tregoi të gjithëve në Mynih se Guardiola nuk është një magjistar.

Kritikat ndërkohë nuk kanë munguar, edhe pse spanjolli i ka dribluar duke thënë se ai mbetet i përqëndruar vetëm te puna me klubin. Kontrata nga ana tjetër i skadon vitin e ardhshëm dhe kështu siç qëndrojnë gjërat, rinovimi është një temë e largët në shtëpinë bavareze. Rinovim mbi të gjitha i duhet Bayernit, me një grup lojtarësh si Schweinsteiger, Ribery, Robben, Lahm apo Xabi Alonso që i kanë kaluar të 30-at. A do të largohet apo do të qëndrojë Guardiola për një projekt të ri që shkon përtej 2016-ës? Një gjë është e sigurt, muajt e mjaltit për të në Mynih kanë marrë fund të martën.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/