Drejtuesve të Bayern duket se i është sosur durimi me Joshua Kimmich. Futbollistit të cili luan prej 10 vitesh me bavarezët i ishte propozuar një rinovim i kontratës që përfundon më 30 Qershor, por nuk ka patur deri tani një përgjigje.

Kjo ka bërë që oferta të tërhiqet sipas BILD e Sky Sport. Kimmich ishte në planet e klubit për të vijuar bashkëpunimin ashtu siç u bë me Manuel Neuer, Jamal Musiala e Alphonso Davies, por duket se mesfushori e zgjati shumë kohën kur duhet të kthente një përgjigje.

Rinovimi nuk ka ndodhur edhe pse ka qenë me kushte më të mira financiare se aktuali, duke folur për një pagë prej 22 milionë euro në vit. Menjëherë kanë nisur spekulimet duke vendosur të të ardhmen e tij Premier League apo La Liga.

Gjithsesi, edhe pas këtij veprimi të klubit, Kimmich nuk e ka të mbyllur përfundimisht derën për rinovimin e kontratës dhe bisedimet vazhdojnë.