Bayern Munich ka njoftuar se trajneri Thomas Tuchel do të largohet nga klubi në fund të sezonit.

Pozicioni i Tuchel ishte vënë në pikëpyetje pas një serie të gjaë rezultatesh negative, që i ka lënë kampionët e Bundesligës të përballen me perspektivën e një sezoni pa fituar një trofe që nga fushata 2011-2012.

Shefi ekzekutiv i Bayern-it, Jan-Christian Dreesen u shpreh kështu për faqen zyrtare të klubit: “Në një bisedë të hapur arritëm në vendimin për të përfunduar reciprokisht bashkëpunimin tonë në verë. Qëllimi ynë është të bëjmë një riorganizim sportiv me një trajner të ri për sezonin 2024/25.”

Ndërkohë ish-trajneri i Chelseat, Tuchel, i cili e mori drejtimin në mars 2023, deklaroi se ky ishte vendimi më i mirë.

“Ne kemi rënë dakord që do ta përfundojmë bashkëpunimin tonë pas këtij sezoni. Deri atëherë, unë dhe ekipi im trajner sigurisht që do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar sukses maksimal”, tha Tuchel.

Humbja shokuese e Bayernit përballë Bochum që fitoi të dielën 3-2 ishte disfata e tretë radhazi për herë të parë që nga viti 2015.

Kjo pasoi humbjen 3-0 ndaj rivalëve për titull, Bayer Leverkusen, që tani kryeson Bundesligën me tetë pikë pas 22 ndeshjesh të luajtura, dhe disfatën 1-0 në ndeshjen e parë të Champions League ndaj Lazios.

Jurgen Klopp, i cili do të largohet nga Liverpool në fund të sezonit, dhe trajneri i Leverkusen, Xabi Alonso, janë sugjeruar si pasardhës të mundshëm të Tuchel në “Allianz Arena”.

Ish-mesfushori i Bayern dhe Liverpool, Alonso, ka qenë gjithashtu i lidhur fort për të pasuar Klopp në Anfield. Së fundi në skenë është shfaqur edhe Antonio Conte, i cili ka shprehur dëshirën për të marrë drejtimin e Bayern-it.