18 shtator 2015 – Bayern Munich ka dërguar zyrtarisht një notë ankese tek UEFA dhe Policia Greke rreth dhunimit të tifozëve gjermanë përpara ndeshjes së Champions League ndaj Olympiakos.

Lajmi u konfirmua nga oficeri ndërlidhes i tifozëve bavarezë, Raimond Aumann për gazetën “Suddeutsche Zeitung”. Rreth 1700 tifozë të Bayernit udhëtuan drejt Greqisë në mbështetje të skuadrës së Pep Guardiolës, gjatë suksesit 3-0 në mesjavë. Por, pamjet filmike të transmetuara në Gjermani treguan se si përpara startit të sfidës, forcat policore greke u spostuan në sektorin e tifozëve miq dhe nisën të godisnin mbështetësit gjermanë me shkopa gome.

Nga dhuna e ushtruar disa tifozë të Bayernit pësuan lëndime dhe u detyruan të merrnin ndihmë mjekësore, ndërsa njëri prej fansave u shtrua në spital në gjendje të rëndë. Klubi i Bayern Munich pasi dënoi “sjelljen e tepruar të disa tifozëve” në transfertën në Greqi, e cilësoi “të tepruar” reagimin nga forcat e policisë.

“Pamjet e dhunës nuk kanë lidhje me futbollin. Gjëja më e rëndësishme është që nuk ndodhi asgjë më e rëndë”, tha drejtori sportiv i gjigandëve gjermanë, Matthias Sammer. Tifozët e pranishëm në stadium, janë pyetur nga mediat gjermane edhe në rolin e dëshmimtarëve okularë. Ata treguan se në stadium u panë gjeste dhe u dëgjuan thirrje kundër Bayernit, ndërsa kordoni i policisë shërbente për të ndarë tifozët miq nga mbështetësit e Olympiakos që ndodheshin në tribunën pranë tyre.

/portali DurresLajm/