NGA SHEFQET KËRCELLI

DURRËS, 20 shkurt 2015 –  Baza Ushtarake e Durrësit i ka fillesat e saj që në krijimin e flotës shqiptare, më 25 dhjetor 1925, pasi dy anijet e para që u blenë në Itali u bregëzuan në portin e Durrësit, nga ku, nën drejtimin e kapedanit Ahmet Kapidani, filluan ruajtjen e kufirit detar shqiptar. Mbas çlirimit u krijua një komandë e vogël marine, fillimisht, me komandant Çelo Arëza dhe pastaj me kapiten Stavri Çika.

FILLESAT

Baza Ushtarako-Detare Durrës (BUD) u krijua në tetor 1964, mbi Bazën e Flotiljes së 66-të Luftarako-Detare si rezultat i riorganizimit të FLD-së. Në ditët e para të vitit 1965, mbrëmjen e 4 janarit, anijet dolën nga baza e Sazanit në një mot të trazuar dhe në agimin e datës 5 janar 1965 u bregëzuan në molin lindor të portit të Durrësit. Komandant i kësaj flotiljeje u caktua Dashamir Ohri. Në maj të vitit 1971, mbas kryerjes së punimeve disavjeçare në Kepin e Palit, filloi zhvendosja e anijeve nga moli lindor i portit në këtë bazë. Nga ky vit baza mori formë të plotë me infrastrukturë dhe anije, duke qenë një nga bazat më të rëndësishme të FLD-së. Në vite në këtë bazë kanë punuar, stërvitur e jetuar me qindra kuadro, detarë e specialist, të cilët e kanë mbajtur lart emrin e marinarit. Kuadro dhe mjete detare të asaj kohe kanë marrë pjesë në stërvitjet më të rëndësishme të zhvilluara në rang flote luftarake, ndërsa marinarë të shërbimit të detyrueshëm mbas lirimit kanë plotësuar ekuipazhet e anijeve të transportit detar.

TANI DISTRIKTI 1 I FORCËS DETARE

Pas viteve ’90 baza u bë protagoniste e aktiviteteve të para bashkëpunuese me flotat partnere të NATO-s, që nga zbatimi i embargos ndaj ish-Jugosllavisë deri te stërvitjet e para paqeruajtëse, ku detarët tanë u vlerësuan për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar. Ngjarje me rëndësi për efektivin e Bazës ishte vizita e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Manfred Vërner (Wörner, 1934-1994), në mars 1993. Kjo ngjarje shtoi kurajën dhe vendosmërinë e detarëve për të arritur treguesit e standardet e flotave aleate. Në riorganizimin e këtij viti (1993) ish-BUD-i u emërtua Distrikti I Detar i Forcës Detare, strukturë e cila u angazhua gjerësisht në zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta me strukturat e tjera të Forcave tona të Armatosura dhe me anije të vendeve anëtare të NATO-s për mbi dy dekada. Në vitin 2014, në këtë bazë u zhvillua finalja e stërvitjes “Albanian-Lion-2014”, me pjesëmarrjen e trupave shqiptarë, britanikë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ndërkohë, në zbatim të misionit të tyre, efektivat e Distriktit Detar Durrës kanë zhvilluar dhjetëra operacione kërkim-shpëtimi dhe të zbatimit të ligjshmërisë detare, kryesisht në zonën e tyre të përgjegjësisë, nga derdhja e Semanit deri në atë të Bunës. Zhvillimi, transformimi dhe modernizimi i Bazës ka ecur paralel me zhvillimin e Forcës sonë Detare. Gjatë këtyre viteve struktura e bazës ka ndryshuar dhe u është përshtatur koncepteve të reja për zhvillimin e Forcës Detare në projekte afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Aktualisht ajo funksionon si bazë detare, ku një personel (kuadro dhe detarë profesionistë), bashkë me mjetet detare të nevojshme, kryejnë detyrat e caktuara dhe janë të gatshëm për çdo emergjencë ose fatkeqësi detare në rajonin e caktuar detar.

PUNË, PËRKUSHTIM E FILLIM TË MBARË PËR ZBATIMIN E DETYRAVE TË VITIT 2015

Në një ditë të zakonshme, baza zgjohet nga përhumbja e natës. Kuadrot dhe detarët i drejtohen anijeve të tyre për të provuar gatishmërinë ose për ti bërë shërbimet e radhës. Dikush sapo është kthyer nga lundrimi i radhës dhe con në vend pajisjet dhe mekanizmat para se të largohet, të tjerë kryejnë punime e riparime të ndryshme në godinat apo infrastrukturën e shtrirë të kësaj baze. Komandant i ri i Bazës, kapiten i rangut III Besnik Cami është caktuar në këtë detyrë fundvitin e kaluar. Ai vjen në këtë punë mbas një eksperience disavjeçare në det e kualifikimi të admirueshëm si kuadër. Kapiteni thotë:

“Kam shërbyer dhe më parë në këtë bazë, ndaj tani përgjegjësia ime është e dyfishtë, duhet të përmirësoj shumë gjëra në këtë bazë, që më duken sikur janë lënë në harresë. Si komandant i grupit II të anijeve, bashkë më kolegët e mi, së pari, tregojmë kujdes për gatishmërinë dhe mirëmbajtjen e anijeve. Kjo për faktin se nga dhjetori i vitit të kaluar dhe këta dy muaj të vitit 2015, anijet tona kanë patrulluar thuajse çdo ditë nga Semani deri në derdhje të Bunës. Jo thjesht prej grafikëve patrullues, por dhe për shkak të fatkeqësive detare, Anijet “Iliria”, P-131, “Lissus”, P-133, P-04, P-01 “Archangel”, motovedetat 118, 110 kanë patrulluar rregullisht për zbatimin e ligjshmërisë detare, verifikim, ndalim e gjobitje të peshkimit të paligjshëm, monitorim të trafikut detar, kontrolli i hyrje-daljeve të anijeve të ndryshme, por dhe operacionet e kërkim-shpëtimit në fatkeqësitë detare të fundit. Kështu vetëm në muajin dhjetor të vitit 2014, nga anijet e kësaj baze u përshkuan rreth 1 244 milje lundrime. Pavarësisht vështirësive, janë shtuar përpjekjet për eliminimin e defekteve të ndryshme në anije, për t’i pasur të gatshme për lundrim. Masat janë shtuar dhe për sigurinë e bazës dhe objekteve. Krahas të tjerave, teknikët Lek Ndoi, Iljaz Kotobelli, etj, kanë  siguruar ndriçimin 100 për qind të objekteve. Për realizimin e  detyrave të shumta të këtij viti, ku përfshihen dhe disa stërvitje me partnerët e huaj, janë përfshirë të gjithë kuadrot dhe detarët e bazës, por do veçoja kuadrot Edison Hoxha, Silvan Boni, Haki Stafa, Fred Mara, Sabri Idrizi, etj. Gjithashtu pjesë e punës në bazë është përgatitja dhe kualifikimi i kuadrove dhe personelit, marrja e të drejtës lundrimore nga oficerët e rinj, p.sh. nënlejtënantët Alban Ademaj dhe Jetnor Balla, por dhe shkëmbimi i përvojës së fituar nga kuadrot që kanë studiuar në akademitë e NATO-s, kryesisht në SHBA. Është fakt që me riorganizimin e ri, jeta në bazën e Kepit të Palit është gjallëruar. Për këtë ka ndikuar ndjeshëm vendimi i marrë nga Ministria e Mbrojtjes, Qeveria dhe Parlamenti për thellimin e kanalit hyrës në basenin e bazës dhe caktimi i fondit për këtë projekt të veçantë, gjë që i ka shtuar besimin dhe përkushtimin në punë efektivit të bazës. Ata po punojnë intensivisht që baza në vitin 2015, të risë ndjeshëm kapacitetet operacionale e praninë e saj për çdo emergjencë detare”.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/