Baza e armatimit e zbuluar një ditë më parë në Durrës shërbente për të furnizuar grupet kriminale.

Dy të rinjtë e arrestuar Hekuran Troplini 20 vjeç dhe Emiljano Pasho 19 vjeç që i shisnin armët kujdeseshin deri në detaj që të mos linin gjurmë për të rënë në rrjetën e policisë.

Siç raporton Top Channel armët të cilat i tregtonin, ata nuk i preknin kurrë pa mbulesë ose pa doreza në mënyrë që të mos linin gjurmë të gishtave të tyre në to. Të njëjtin kujdes tregonin edhe gjatë momentit kur çonin armën e porositur tek personi i interesuar.

Armës i hiqnin shulin dhe fshihnin në pjesë të vjetra makinash më mënyrë që edhe nëse do të kapeshin nga policia ekspertiza të mos e nxirrte armën e rregullt e në këtë mënyrë të mos arrestoheshin për armëmbajtje. Pjesa e hequr e armës i dërgohej në një moment tjetër personit që kishte blerë armën.

Brenda në bazën e zbuluar një ditë më parë u gjetën dhe u  sekuestruan 4 kallashnikovë me 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 1 motomjet që shërbente për të lëvizur dhe transportuar armët e municionin, me qëllim shitjen, 63 700 lekë dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa. Policia thotë se në këtë grup ka dhe persona të tjerë.