Klientët e bazës së prostitucionit të zbuluar dje në Fier ishin pensionistë.

“Panorama” shkruan sot se ata janë në moshën mbi 50 vjeç dhe kundrejt pagesave, kërkonin të kryenin marrëdhënie, kryesisht me vajza të reja.

Nga operacioni i policisë së Fierit, i shtrirë në një periudhë hetimi tremujor, ditën e djeshme u bë i mundur arrestimi i 13 personave, ndërsa për 11 të tjerë nisi hetimi në gjendje të lirë.

Policia bëri të ditur dje se shtetasi Luan Zijaj, gjatë një periudhe disa mujore, ka shfrytëzuar për prostitucion 6 shtetaset e arrestuara për ushtrim prostitucioni, me pagesë që arrinte deri në 50 mijë lekë të vjetër.

Nuk dihet ende se si bëhej ndarja e parave mes shfrytëzuesit dhe vajzave që shfrytëzoheshin. Burrat në moshë e kishin mësuar këtë strehë që përdorej për shërbime seksi dhe tutorit nuk i duhej shumë punë për të siguruar klientë.

Sakaq mësohet se asnjëri nga të arrestuarit nuk e ka pranuar akuzën.