·        Më se një milion veta do të përfitojnë tërthorazi nga përmirësimi i furnizimit me ujë dhe cilësisë së tij, si dhe reduktimi i përmbytjeve në 310 komuna rurale dhe në 2 980 fshatra të vendit

 

DURRËS, 9 korrik 2014 –  Mundësi për mënyra alternative të sigurimit të jetesës dhe kontribut në shfrytëzimin e qëndrueshëm të produkteve të pyjeve dhe të kullotave, më se një milion veta do të përfitojnë tërthorazi nga përmirësimi i furnizimit me ujë dhe cilësisë së tij, si dhe reduktimi i përmbytjeve në 310 komuna rurale dhe në 2 980 fshatra të vendit

Njoftohet se Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi më 8 korrik 2014 një financim prej 7.3 milionë euro nga IBRD-ja (International Bank for Reconstruction and Development – Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim) për Projektin e Shërbimeve Mjedisore në Shqipëri, nga i cili do të përfitojnë fermerë, shoqata të pyjeve, grupe dhe individë në 310 komuna rurale dhe në 2 980 fshatra të vendit.

Kostoja totale e projektit është 16.8 milionë euro dhe bashkë-financohet nga një Fond Besimi prej 7.3 milionë euro nga qeveria suedeze dhe një Fond Besimi prej 2.2 milionë euro nga Global Environmental Facility (GEF).

Objektivi i zhvillimit të projektit është të mbështesë menaxhimin e qëndrueshëm të tokës dhe të rrisë të ardhurat e komuniteteve në zonat e larta rurale të prira për të pasur erozion.

Projekti kërkon të krijojë mundësi për mënyra alternative të sigurimit të jetesës dhe të kontribuojë në shfrytëzimin e qëndrueshëm të produkteve të pyjeve dhe të kullotave.

ULJA E VARFËRISË NË FSHAT

“Ulja e varfërisë rurale dhe zhvillimi i burimeve natyrore, sidomos i burimeve pyjore është prioritet i rëndësishëm i qeverisë. Sektori shqiptar i pyjeve ka potencial shumë të madh për të mbështetur rritjen ekonomike kombëtare, punësimin në zonat rurale dhe ruajtjen e mjedisit”, u shpreh Tahseen Sayed, menaxherja e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Ndërhyrjet e projektit do të promovojnë qëndrueshmërinë financiare, ekonomike dhe institucionale të përdorimit të tokës dhe menaxhimin e burimeve natyrore.

Ndërhyrjet e projektit do të ndihmojnë gjithashtu të ndërtohen kapacitetet e fermerëve shqiptarë, të organizatave të komunitetit dhe të institucioneve qendrore dhe të pushtetit vendor për të përdorur me efikasitet financimet e BE-së.

Do të krijohen mundësi të barabarta që gratë dhe grupet e cenueshme të marrin pjesë në shërbimet mjedisore.

Projekti do të kontribuojë gjithashtu, në ruajtjen e burimeve ujore dhe në qëndrueshmërinë e menaxhimit të burimeve ujore duke pakësuar sedimentet në lumenj dhe diga si pasojë e degradimit të tokës.

Pritet që më shumë se një milion njerëz të përfitojnë në mënyrë të tërthortë nga përmirësimi i furnizimit me ujë dhe cilësisë së tij, si dhe reduktimi i përmbytjeve.

PËRMIRËSIM I MENAXHIMIT E PËRDORIMIT TË TOKËS

“Projekti mbështetet mbi përvojën e fituar nga projektet e mëparshme të financuara nga Banka Botërore, të cilat kanë kontribuar ne mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e pyjeve të komunitetit dhe sekuestrimin e karbonit”, tha Drita Dade, specialiste e lartë e Bankës Botërore për menaxhimin e burimeve natyrore dhe drejtuese e projektit.

“E reja e këtij projekti qëndron në krijimin e një sistemi informacioni për menaxhimin e pyjeve dhe futjen e skemave konkurruese te granteve për të përmirësuar menaxhimin e përdorimit të tokës dhe për t’u dhënë komuniteteve mundësi alternative për sigurimin e jetesës”.

Info

Qëkur Shqipëria u anëtarësua në Bankën Botërore në vitin 1992, vendi ka përfituar prej 82 projekteve me vlerë totale prej më shumë se 1.8 miliardë USD kredi dhe grante nga IDA dhe IBRD.

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/