KOSOVE – Banka Botërore parashikon se Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike në Europën Juglindore edhe gjatë vitit 2013 dhe sipas parashikimeve kjo pritet të jetë 3.3%.

“Ekonomitë e të gjashtë vendeve bashkë, në Evropën Juglindore, do të pësojnë një rënie prej 0.6% në vitin 2012 dhe do të përballen me vështirësi në vitin 2013, me një rritje ekonomike që parashikohet të jetë 1.6%”,- thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Raporti ekonomik për Evropën Juglindore, mbulon gjashtë vende: Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Ky raport parashikon se rruga drejt një rimëkëmbjeje të qëndrueshme do të jetë, në rastin më të mirë, i vështirë dhe i ngadaltë në vitin 2013 dhe me rreziqe të konsiderueshme.

Në këtë pasiguri, Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi në veçanti kanë nevojë të insistojnë më shumë në zbutjen e deficitit fiskal dhe në uljen e borxheve publike.