Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi sot një hua prej 100 milionë USD për politikat e zhvillimit të sektorit financiar për Republikën e Shqipërisë. Projekti i politikave mbështet reformat që synojnë fuqizimin e fleksibilitetit të sektorit bankar dhe të rregullave e të mbikqyrjes së institucioneve financiare jobankare në Shqipëri.
Banka Botërore ka kontribuar për fuqizimin e sektorit financiar në Shqipëri përmes disa projekteve duke përfshirë kredinë e vitit 2014 për politikat e zhvillimit për modernizimin e sektorit financiar. Ky projekt i ri çon më tej punën dhe rezultatet e projekteve të mëparshme të Bankës Botërore të kreditimit të bazuar te politikat zhvillimore, të cilat kanë mbështetur një gamë të gjerë reformash për të rikthyer stabilitetin makro-financiar të vendit, rinisjen e rritjes ekonomike, përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe reformimin e sistemit të pensioneve dhe sektorit të energjisë.
“Reformat e mbështetura nga ky projekt synojnë të trajtojnë cenueshmëritë aktuale të sektorit financiar duke rritur fleksibilitetin e tij. Këto reforma do të krijojnë mjedisin e duhur që institucionet financiare bankare dhe jobankare të zgjerojnë kreditimin ndaj sektorit privat, e kjo si rrjedhojë do të jetë një shtysë për rritjen ekonomike”, tha Ellen Goldstein, Drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
Projekti strukturohet rreth tri shtyllave: miratimi i masave për të reduktuar kreditë e këqija dhe për të forcuar rrjetin e sigurisë financiare; fuqizimi i rregullave, mbikëqyrjes dhe regjimeve të zgjidhjes së problemeve të bankave dhe të shoqatave të kursim – kreditit (SHKK); dhe fuqizimi i rregullave dhe mbikëqyrjes së fondeve të investimit.