Tiranë, 28 maj 2014 – Banka Botërore vlerëson se situata ekonomike dhe ajo e kredive të këqija kanë detyruar bankat të shtrëngojnë kushtet e kreditimit, duke mos financuar ekonominë. Madje, kjo ka vijuar njësoj edhe pse Banka Qendrore ka ndërmarrë masa lehtësuese duke ulur interesin e lekut.
“Për të mbështetur likuiditetin dhe për të rritur aksesin në financa, bankat qendrore në Shqipëri, Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Serbi i kanë shkurtuar nivelet e tyre bazë të interesit me përkatësisht 1, 0.5 dhe 1.75 pikë përqindje në vitin 2013”,- thuhet në raportin për Europën Juglindore që u prezantua në zyrat e Bankës Botërore.
Për biznesin është bërë më e vështirë marrja e një kredie dhe kjo sipas Bankës Botërore ka arritur deri në zvarritje pa fund të procesit.
“Huat e këqija në rritje, prezantimi i standardeve më të shtrënguara për dhënien e kredive dhe përpjekjet e bankave për të pastruar bilancet e tyre dhe për të mbuluar kostot e kanë shtuar presionin për huadhënien dhe kanë ngadalësuar rritjen e kreditimit deri në zvarritje në të gjitha shtete e EJL6-ës në vitin 2013”,-thuhet në raport.
Ulja e nivelit të kreditimit ndikon direkt edhe tek ekonomia e cila pavarësisht kësaj, sipas Bankës Botërore pritet që gjatë vitit 2014 të ketë një ecuri më të mirë sesa në 2013. Në parashikimin e saj, BB pret që rritja e prodhimit të brendshëm bruto për këtë vit të jetë 2.1 për qind dhe në vitet në vijim të ketë një përmirësim të dukshëm.
“Në vitin 2015, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Serbia parashikohet të kenë rritje më të madhe ose të barabartë me rritjen e vitit 2014, në përjashtim të rasteve të materializimit të rreziqeve”,-vlerëson Banka Botërore.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





