28 gusht 2013- Krye ekonomisti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë, Hans Timmer deklaron se Shqipëria ka nevojë për një model të ri zhvillimi. Sipas tij, në Shqipëri, por edhe rajon, problemi kryesor është rritja e ulët ekonomike. “Unë pata rastin të flas me drejtuesit e qeverisë së re. Mendoj se analiza e tyre është e drejtë. Shqipëria ka nevojë për një strategji të re të rritjes ekonomike. Modeli ekzistues i ka ezauruar burimet, është në limitet e tij. Tani fokusi duhet të jetë në orientimin e ekonomisë nga prodhimi, pra krijimin e një baze prodhuese brenda vendit", tha Timmer. I mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në konferencën "Shqipëria e Gjeneratës tjetër", të organizuar nga Partia Socialiste, Timmer mendon se kjo kërkon një mënyrë të re drejtimi të ekonomisë."Siç e thashë, analiza që vendit i nevojitet një mënyrë e re të menduari se nga do të vijë rritja ekonomike, për mua është e duhura. Nuk duhet të reagohet ndaj çdo gjëje që ndodh në rajon apo jashtë. Fokusi duhet të jetë në politikat brenda vendit. Pra duhet të mendohet se ku Shqipëria mund të jetë më konkurruese dhe përtej çdo kufizimi ku mund të krijohen vende të reja pune", shtoi Timmer. Numri një i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë thotë se kushti kryesor për rigjallërimin e ekonomisë është ndërtimi i një sektori publik eficient dhe një qeverie të mirëorganizuar. "Ndoshta sfida më e madhe është të përmirësohet cilësia e shërbimeve publike.Të ndërtohet një Qeveri që është partner i besueshëm dhe mbështet sektorin privat, e cila paguan detyrimet dhe nuk krijon borxhe të prapambetura. Pra një qeveri eficente. Nëqoftëse nuk ka përmirësime në këtë pikë, atëherë rikthehen problemet e vjetra që ka çdo vend kudo në botë, deficitet e larta dhe borxhi i rritur. Pra borxhi në vetvete nuk është problem. Problemi kryesor është se si të ndërtohet një qeveri e organizuar më mirë", vijoi më tej Timmer. Që pas vitit 2009, rritja ekonomike e Shqipërisë ka rënë me ritme të shpejta. Fillimisht u përgjysmua nga 6 në tre për qind, ndërsa vitin e kaluar ajo ra në minimumin 1.6 për qind.

/sot news/