Banka Botërore ka bërë vlerësimin e përmbyllës për projektin e aksesit të barabartë gjinor në mundësitë ekonomike dhe ka sjellë në vëmendje se qeveria duhet të mbështesë qëndrueshmërinë e ndihmës ligjore, një nismë që aktualisht është financuar nga donatorët.

I njëjti rishikim vlerëson se një tjetër element që duhet të shihet me vëmendje është dixhitalizimi i titujve të pronësisë.

“Ekipi vëren progres domethënës në të gjitha shtyllat e programit të reformave, dhe pavarësisht se treguesit e rezultateve janë nën objektivin e vendosur në disa raste, ka trendencë pozitive në të gjitha fushat.

Për më tepër, në kontekstin e krizës  së COVID-19 gjatë vitit 2020 u bë e qartësisht e vështirë arritja e disa prej objektivave. Si rreziqe të mundshme, ekipi sjell në vëmendje nevojën që Qeveria e Shqipërisë të angazhojë burimet e nevojshme për të siguruar për një periudhë afatgjatë qëndrueshmërinë e qendrave të ndihmës ligjore që janë zbatuar dhe funksionojnë aktualisht falë fondeve të konsiderueshme të donatorëve.

Lidhur me kapacitetin monitorues ekipi nxit Qeverinë e Shqipërisë të shpejtojë dixhitalizimin e titujve të pronës nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës” thuhet në dokument.

Projekti që po zbatohet me mbështetjen e Bankës Botërore ka disa objektiva që sipas BB mbështesin përpjekjet e qeverisë për të ngritur kuadrin e politikave për barazinë gjinore në Shqipëri si dhe aksesin në mundësitë ekonomike, me fokus (i) përmirësimin e aksesit të grave në asete; (ii) barazimi i fushës së lojës për të përmirësuar tregun e punës dhe mundësitë për gratë; dhe (iii) forcimin e rregullimeve institucionale për politikëbërjen e informuar mbi gjininë.

Projekti që u bë efektiv në 28 maj 2020 mori aprovimin e bankës në 14 nëntor 2019 për një shumë 10 milionë dollarësh. Tashmë projekti është totalisht i përfunduar dhe shuma e vënë në dispozicion është disbursuar sipas kalendarit deri në fund të marsit 2021. /Monitor