TIRANE, 28 mars 2013 – “Tradhëtia në çift”. Kjo ka qenë tema e “Talk Show” që ka bërë banorët e “Vëllait të Madh” të shprehen përballë njëri-tjetrit lirshëm. Shumica prej tyre janë shprehur të zhgënjyer dhe të hidhëruar nga kalimi i një eksperience të tillë. Ndërsa disa të tjerë kanë hapur veshët për të dëgjuar historitë e bashkëjetuesve të tyre, histori që vetë nuk i kanë provuar.

Një nga femrat më të vogla në moshë brenda shtëpisë, Elena, ka treguar se nuk ka tradhtuar kurrë, por e ka përjetuar tradhëtinë. Ajo tregon se duke e ndjerë shijen e hidhur, nuk do të mund tja bënte dikujt tjetër.

Gjithashtu Joana ka rrëfyar se është tradhëtuar dy herë, ndërsa tregon se është ndjerë shumë e nënvleftësuar. Sipas saj, falja ka qenë gabimi i saj, duke bërë një retrospektivë në kohë shprehet se do kishte qenë më mirë të mos kishte vazhduar më në lidhjen e saj.

Ndërsa të njëjtën gjë ka përjetuar edhe Xhimi, duke risjellë në vëmendje shpjegimin që kishte marrë, sipas tij, shpjegim klasik i femrave, “ Nuk është ashtu siç duket”.

Marselini megjithëse nuk është tradhtuar asnjëherë, e dënon si akt. Ai thotë se tradhtia është konsideruar gjithmonë e njeriut të dobët.

Ndërsa Jonilda thotë se është tradhtuar, madje disa herë. Ajo thotë se herën e parë dhe herën e dytë ka mbyllur sytë, ndërsa herën e tretë ajo u hakmor “sy për sy, faqe për faqe”.

Anaidi ka treguar se ai vetë ka tradhtuar, por nuk mund ta verë dorën në zjarr që nuk është tradhtuar ndonjëherë. Ai shpjegon se lidhjes së tij po i vinte fundi dhe këtë, ai e dinte. I detyruar nga kushtet gjeti ngrohtësi tek një person tjetër.

Elona, Eldora dhe Olta thonë se as nuk kanë tradhtuar ndonjëherë dhe as janë tradhtuar ndonjëherë.

Shpendi, ai që drejtonte edhe bisedën mes banorëve është pyetur në fund, teksa ka rrëfyer: ”Kam tradhtuar dhe jam tradhtuar. Jam ndier më shumë sesa bosh dhe jam penduar. Për asgjë ndodh tradhtia. Nëse do të kisha mbledhur mendjen s’do të tradhtoja më”, përgjigjet Shpendi.

Shpendi thotë se ka disa lloj tradhtie, dhe nuk përjashton mundësinë e tradhtisë me mendje, pasi në disa momente mund të gjesh ngrohtësi edhe në atë formë. “Unë e kam bërë duke e konsideruar si ngushëllim, por e konsideroj gabim”. Ndërsa thekson se gabimi më i madh i partneres së tij ka qenë që e ka falur, duke nënkuptuar se pas faljes së saj, e ka përsëritur sërish tradhtinë.