Izraeli ka njoftuar se Operacioni “Luani në Ngritje” sapo ka filluar. Sulmet deri më tani nuk kanë synuar vetëm programin bërthamor të Iranit, por edhe mbrojtjen e tij ajrore. Kjo sugjeron që Izraeli po përgatit terrenin për sulme të mëtejshme në ditët në vijim, sipas BBC-së. Izraeli zyrtarisht njoftoi se 200 avionë ishin të përfshirë në operacion, por ka raportime për ngjashmëri me sulmin e fundit me dronët ukrainas ndaj bazave ajrore ruse.
Burime sigurie thanë se agjencia e inteligjencës së Izraelit, Mossad, futi fshehurazi dronë shpërthyes në Iran “shumë kohë para sulmit izraelit”.
Vlerësohet se dronët janë përdorur për të sulmuar lëshuesit e raketave që mund të përbëjnë një kërcënim për Izraelin në rast të një hakmarrjeje në shkallë të gjerë nga ana e Iranit. Megjithatë, dronët që Irani ka lëshuar deri më tani duken kryesisht inferiorë në fuqi krahasuar me sulmin e madh me raketa balistike të Teheranit ndaj Izraelit tetorin e kaluar.
Hakmarrja izraelite më vonë atë muaj besohet se ka synuar mbrojtjen ajrore të Iranit, prodhimin e raketave dhe dronët, duke e bërë Teheranin më të prekshëm ndaj sulmeve të ardhshme dhe duke zvogëluar aftësinë e tij për t’u kundërpërgjigjur. Pavarësisht retorikës së tij provokuese, aftësia e Iranit për të nisur një përgjigje të menjëhershme ushtarake nuk është ajo që ishte më parë, sipas BBC-së./BBC