Shqipëria është përfshirë në listën e nëntë vendeve që BBC sugjeron për t’u vizituar gjatë vitit 2025, duke e cilësuar një nga destinacionet më të nënvlerësuara të Evropës që po njeh rritje të vrullshme në turizëm.
Në artikullin e publikuar nga prestigjiozja britanike thuhet se lehtësirat e udhëtimit, përfshirë fluturimet e shumta, kanë ndikuar në shtimin e vizitorëve. Vetëm në vitin 2024, Shqipëria priti 11.7 milionë turistë, një rekord historik për vendin.
Blogerja e udhëtimeve, Kimberly Denison, thekson se vendi po fitoi njohje ndërkombëtare për historinë, bregdetin e paprishur dhe zhvillimin e gastronomisë dhe verarisë. Ajo përmend Gjirokastrën, plazhet e Rivierës Shqiptare dhe vreshtat e Beratit si pika të forta që po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë.
BBC veçon Ksamilin, që po bëhet gjithnjë e më popullor, por shton se ata që i shmangen turmave shpërblehen me ujëra të pastër bruz që rivalizojnë edhe ishujt grekë. Në veri, Malet e Nemuna ofrojnë destinacione ideale për alpinistët dhe aventurierët.
Artikulli vlerëson gjithashtu infrastrukturën akomoduese, ku përfshihen hotele dhe vila luksoze, dhe e konsideron verën si periudhën më të mirë për të vizituar Shqipërinë, për shkak të kushteve ideale për plazhe, ecje dhe eksplorim.
Krahas Shqipërisë, në listën e BBC-së për destinacionet më të mira për 2025 renditen edhe:
• Puglia, Itali
• Bregu Alentejo, Portugali
• Andermatt-Sedrun-Disentis, Zvicër
• Riviera Franceze
• Sllovenia
• Peloponezi, Greqi
• Parisi, Francë
• Bregdeti perëndimor i Suedisë