Bindja Demokratike denoncon faktin se kandidati i PS, Elton Arbana po tenton të kryejë përsëri krim elektoral
“Në Bashkinë e Shijakut, kandidati i Partisë Socialiste, Elton Arbana, një prej protagonistëve kryesorë të përgjimeve të Bild nga ku rezultonte se ai ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë më parë në vjedhje të zgjedhjeve dhe krime elektorale në zonën e Durrësit, sot në shoqërinë e deputetit të PS Ilir Ndraxhi, po hyjnë në çdo qendër votimi në Shijak duke u përpjekur të intimidojnë zgjedhësit.
I kujtojmë kandidatit të Partisë Socialiste në Shijak, se sipas përcaktimeve të kodit zgjedhor, kandidatët në garë nuk lejohen të jenë prezent në qendrat e votimit gjatë ditës së votimit, ndaj ai duhet të terhiqet menjëherë nga shkelja e ligjit zgjedhor. E ka këtë detyrim dyfish po të kemi parasysh se zotëria në fjalë është kontigjent për kryerjen e krimeve elektorale më parë.
Ky njeri sot duhet të ishte përpara drejtësisë për t’u hetuar për krimet elektorale të konsumuara prej tij në zgjedhjet e mëparshme dhe jo të mund të kandidonte personalisht në zgjedhje. Por “Rilindja” e Edi Ramës e ka të pamundur të ndahet nga ky kontigjent dhe këto praktika, ndaj ka kandiduar në Shijak Elton Arbanën.
E sigurt është që jo vetëm Elton Arbana dhe të gjithë njerëzit e tjerë të “Rilindjes” që kanë vjedhur më parë zgjedhjet në këtë vend, por edhe të gjithë ata që do të tentojnë të manipulojnë zgjedhjet e sotme, do të përgjigjen një ditë përpara drejtësisë.”,- thuhet në njoftimin e Bindjes Demokratike.





