Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni doli me një qëndrim zyrtar për zgjidhjen e krizës politike që la pas referendumi i 30 shtatorit. Për partinë aleate të kryeministrit Zaev nuk është koha për zgjedhje të parakohshme  dhe zgjidhja duhet të gjetur në parlament.  Ratifikimi i marrëveshjes së Prespës në parlament është një detyrim ndërkombëtar për vendin, njoftoi BDI. Mbrëmjen e së enjtes, zv.kryeministri maqedonas, Bujar Osmani bëri thirrje për unitet.

Bujar Osmani – Zv.Kryeministër i Maqedonisë: Është përgjegjësi e secilit nga ne ta kuptojmë peshën e momentit rëndësinë e momentit, pasojat e vendimeve.

Ky qëndrim bie ndesh me atë të partive shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, të cilët thonë se pas ndryshimeve kushtetuese në kuvend vendi duhet të shkojë në zgjedhje pasi vendi ka humbur kredibilitetin.

Nga ana tjetër Opozitarët e VMRO-DPMNE-së kërkojnë dorëheqje të kryeministrit Zaev dhe ngritjen e një qeveria teknike që do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, propozim që është quajtur i papranueshëm nga kreu i qeverisë.