Dokumentet e rënë në duart e shtypit britanik tregojnë se Bashkimi Europian ka bllokuar një marrëveshje, e cila do të lejonte Londrën zyrtare t`i kthente mbrapsht në Francë azilkërkuesit që kalojnë kanalin e “La Manshit”.
Refuzimi, sipas këtyre të dhënave, erdhi nga një prej ndihmësve më të besuar të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Politikani gjerman Bjoern Siebert u tha zyrtarëve të lartë britanikë se blloku do të refuzojë të marrë në konsideratë firmosjen e një ujdie kthimi pas Brexitit.
Siebert, që është kreu i kabinetit të von der Leyen, u shfaq sfidues në reagimin e tij gjatë një takimi kokë më kokë me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Britanisë, Sir Tim Barrow disa kohë më parë.
Kjo sipas mediave në Londër, nënkupton se Anglia nuk do të ketë mundësinë në të ardhmen t`i kthejë drejt Francës varkat me emigrantë. Daily Mail ka parë një memo të brendshme të qeverisë britanike që përshkruan rezultatin e takimit midis Sir Tim dhe Siebert, ku britaniku thotë për zyrtarin e BE-së: Ai theksoi se Komisioni nuk është i hapur për një marrëveshje ripranimi Mbretëri e Bashkuar-BE.
Të dyja, palët ranë dakord për të bashkëpunuar mbi çështje të tjera të lidhura me emigracionin, siç është lufta kundër trafikantëve.
Brukseli megjithatë e kundërshtoi mbrëmjen e djeshme versionin e ngjarjeve të përshkuara në memorandum. Një zëdhënës i KE tha se Siebert kurrë nuk ka thënë atë që pretendohet në dokumentin në fjalë.