Bashkimi Evropian ka nisur një operacion humanitar ajror në Mianmar pas tërmetit shkatërrues me magnitudë 7.7 ballë, që ka lënë pas më shumë se 2800 viktima dhe ka shkaktuar dëme të mëdha. Fluturimi i parë i këtij operacioni është nisur nga Kopenhaga dhe do të arrijë në Yangon, me ngarkesë prej 80 tonësh të furnizimeve për të ofruar ndihmë emergjente.

Ndihmat përfshijnë tenda, pajisje për mbrojtjen e fëmijëve, pajisje shëndetësore dhe pajisje për furnizimin me ujë, të cilat do t’i dërgohen UNICEF-it. Po ashtu, Komisioni Evropian ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së dhe ka vendosur një ekip prej 12 ekspertësh evropianë në Bangkok dhe Kuala Lumpur për të siguruar që ndihmat të arrijnë atyre që kanë më shumë nevojë.

Përveç kësaj, BE ka lëshuar 2.5 milionë euro ndihmë humanitare, ndërsa ka angazhuar një shtesë prej 500,000 euro për të kontribuar në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Numri i viktimave nga tërmeti ka arritur në 2886, ndërsa 4,639 persona janë plagosur dhe 373 janë të zhdukur, sipas të dhënave të fundit të televizionit shtetëror MRTV. Po ashtu, në Tajlandën fqinje, tërmeti ka shkaktuar 22 viktima dhe dëme të mëdha materiale.