ATHINE-Shefi i diplomacisë greke, Dimitris Avramopulos, menjëherë pas përfundimit të takimit të ministrave të jashtëm në Bruksel, ka deklaruar se rekomandimet e Bashkimit Europian ndaj Maqedonisë për çështjen e emrit, janë një mesazh i qartë, përbëjnë progres dhe mund të shërbejnë si katalizator për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis të dy vendeve.
"Brukseli foli me një zë dhe i dërgoi një mesazh të qartë, pozitiv dhe të sinqertë Shkupit”, tha ministri dhe shtoi se Athina shpreson që Shkupi të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në negociatat që po zhvillohen nën kujdesin e OKB-së, derisa të arrihet zgjidhja.
“Pozicioni i Greqisë është se zgjerimi është një nga politikat kryesore të Bashkimit Evropian, si mjet i konsolidimit të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit. Por për shkak se është kaq e rëndësishme, ai duhet të bëhet në përputhje me standardet dhe kërkesat e përcaktuara nga vendimet e BE-së dhe nuk ka kuptim t’i fshehim problemet nën qilim. Sidomos sot, ne shohim një rigjallërim të nacionalizmit në shumë vende të Ballkanit, ndaj është më e rëndësishme se kurrë që të flasim gjuhën e së vërtetës. Të mos bëjmë lëshime me standardet evropiane, por të sigurojmë respektimin e vendeve kandidate”, deklaroi Avramopulos.
Sipas tij, “për herë të parë zgjidhja e çështjes së emrit shtrohet në mënyrë të prerë, me vendim unanim të këshillit të ministrave, si kusht për fillimin e negociatave të anëtarësimit të FYROM”.
“Pikëpamja jonë është se hapja e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE është thjesht politike. Respekti për marrëdhënie të mira fqinjësore është një kusht që duhet të përmbushet. Me arritjen e zgjidhjes, këshilli i ministrave do të vendosë për të mandatuar Komisionin Europian që të përgatisë kuadrin për fillimin e negociatave anëtarësuese të FYROM”, sqaroi ministri i Jashtëm grek, Avramopulos.