BE dhe India arritën një marrëveshje historike tregtare, pas gati dy dekadash negociatash të ndërprera herë pas here. Marrëveshja synon forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy palëve, në një kohë tensionesh tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi marrëveshjen si marrëveshjen më të madhe nga të gjitha, ndërsa kryeministri indian Narendra Modi e quajti atë “historike”.
“Ia dolëm. Ne realizuam nënën e të gjitha marrëveshjeve. Po krijojmë një treg prej 2 miliardë njerëzish. Kjo është historia e dy gjigantëve: ekonomia e dytë dhe e katërta më e madhe në botë. Dy gjigantë që zgjedhin partneritetin, në një histori të vërtetë fitoreje për të dyja palët.” tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen, në ceremoninë e fimrosjes në Indi.
Kryeministri i Indisë Modi, tha se një treg i tillë do të krijojë mundësi shumë të mëdha për mirëqenie.
“Një marrëveshje e madhe u nënshkrua mes Bashkimit Evropian dhe Indisë. Njerëz në mbarë botën po e quajnë këtë ‘marrëveshjen më të madhe nga të gjitha’. Kjo marrëveshje do të sjellë mundësi të mëdha për 1.4 miliardë banorët e Indisë dhe për miliona njerëz në Evropë.” u shpreh Modi.
Pakti parashikon tregti të lirë të mallrave mes BE-së me 27 shtete dhe Indisë, duke krijuar një treg prej rreth dy miliardë njerëzish, që përfaqëson afro 25% të ekonomisë globale. Marrëveshja do të ulë ndjeshëm tarifat doganore dhe do të zgjerojë aksesin në treg për të dyja palët.
Sipas Komisionit Evropian, tarifat për shumicën e produkteve industriale, përfshirë makineritë, pajisjet elektrike dhe avionët, do të hiqen gradualisht. Ndërkohë, tarifat për automjetet do të ulen nga deri në 110% në 10%, brenda një kuote të kufizuar.
Marrëveshja pritet të ulë kostot për produktet evropiane që hyjnë në Indi, ndërsa disa sektorë të ndjeshëm bujqësorë janë përjashtuar. Brukseli thekson se pakti do të nxisë investimet dhe do të forcojë zinxhirët e furnizimit.
Nënshkrimi final i marrëveshjes pritet më vonë gjatë këtij viti, pasi ajo të miratohet nga institucionet evropiane. Krahas tregtisë, BE-ja dhe India po avancojnë edhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe klimës.





