Evropa përballet me një “rrezik të madh sulmesh terroriste” gjatë periudhës së festave të Krishtlindjeve për shkak të pasojave nga lufta midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, paralajmëroi të martën komisionerja e çështjeve të brendshme të Bashkimit Evropian, Ylva Johansson.
“Me luftën midis Izraelit dhe Hamasit dhe polarizimit që shkakton në shoqërinë tonë, me sezonin e ardhshëm të festave, ekziston një rrezik i madh i sulmeve terroriste në Bashkimin Evropian,” u tha gazetarëve komisionerja e BE-së.
“Ne e pamë kohët e fundit në Paris, për fat të keq e kemi parë edhe më herët,” tha ajo, ndërsa ministrat e brendshëm të BE-së u mblodhën në Bruksel. Ajo nuk dha detaje në lidhje me ndonjë informacion policie apo sigurie që mund të kishte çuar në paralajmërimin e saj.
Paralajmërimi erdhi ndërsa hetuesit francezë hetojnë një sulm fatal të fundjavës pranë Kullës Eifel në Paris, ku një person vrau një turist dhe plagosi dy të tjerë ne emër të Shtetit Islamik.