DURRËS, 28 maj 2014 – Bashkimi Evropian po cakton fonde për vendet e Ballkanit për rikonstruksionin e infrastrukturës së tyre hekurudhore, në mënyrë që kështu të përmirësohet transporti në dhe nga BE-ja dhe t’i jepet mundësi rajonit të zbatojë më efektivisht standardet e BE-së, thanë zyrtarë të cituar nga portali amerikan “SETimes”.
BE-ja do të investojë rreth 30 milionë euro në segmentin Manastir-Kremenicë të hekurudhës maqedonase nëpërmjet fondeve të para-pranimit, që do të rivendosin lidhjen me Greqinë nëpërmjet Manastirit.
BE-ja tha gjithashtu se do të realizojë një projekt për përfundimin e hekurudhës nga Kriva Palanka në kufirin Maqedoni-Bullgari dhe do të financojë ndërtimin e pjesës 31 kilometra nga Kumanova në Bjelakovce në korridorin e transportit 8 Lindje-Perëndim.
Bullgaria po përdor tashmë fondet e BE-së për të përfunduar pjesën 2 kilometra të hekurudhës në kufirin maqedonas.
Hekurudha është një nga mënyrat më të shkurtra të lidhjes së Evropës jugore me Azinë qendrore dhe Lindjen e Mesme. Ajo shkon nga Bari në Durrës, Tiranë, Shkup, Sofje dhe Varna.
“Është shumë e rëndësishme për Ballkanin të kompletojë dhe modernizojë korridoret e transportit 8 dhe 10 që kalojnë nëpër Maqedoni, sipas standardeve evropiane”, tha Kristi Bombol, profesor në fakultetin teknik në Manastir.
“Politika e transportit e BE-së fokusohet në modernizimin dhe zhvillimin e hekurudhave, sepse kjo mënyrë transporti ul kostot dhe mbron mjedisin”, i tha Bombol-i portalit SETimes.
Bombol-i tha se hekurudha Kremenicë-Manastir nuk ka punuar për 30 vjet dhe meqenëse [Maqedonia] do të shtrijë një linjë hekurudhore me një vend anëtar të BE-së, [si Bullgaria], rikonstruksioni i saj do të jetë me përfitim të madh, pasi rrit fluksin e njerëzve, mallrave dhe kapitalit.
Zyrtarët thanë se puna do të nisë në fund të këtij viti dhe do të përfundojë brenda 18 muajve.
“Ky degëzim i korridorit 10 do të shndërrohet në korridor operacional pan-evropian, sepse do të jetë një shtesë e korridorit 4 pan-evropian që lidh Greqinë me Turqinë, që përfundon në portin e Gumenicës”, – tha Dragan Simonovski, zëdhënës në ministrinë e Transportit dhe Komunikacionit të Maqedonisë.
BE-ja ka pohuar se përmirësimi i infrastrukturës hekurudhore do të mbështesë lidhjet me Bashkimin.
“Hekurudhat jo vetëm mundësojnë një rrjedhje më të shpejtë të mallrave, por sigurojnë një metodë më të qëndrueshme transporti. Kjo hekurudhë do të hapë gjithashtu mundësi më të mëdha për njerëzit, jo vetëm midis vendeve fqinjë, por përtej, që është qëllimi i korridorit 8 dhe 10”, bëri të ditur në një deklaratë Komisioni Evropian (KE) në Shkup.
Brenda kontekstit të pranimit në BE, përmirësimi i infrastrukturës së hekurudhave do të thotë akses më i lehtë në tregun e përbashkët të BE-së dhe mundësi për të ndjekur prirjet dhe praktikat komerciale e të tjera të BE-së, tha zyra e KE-së.
ERGOSE, filial i Organizatës Hekurudhore të Greqisë, tha se Greqia ka një program investimi në hekurudha për vitet 2004-2020, program i bashkëfinancuar nga BE-ja.
“Plani i Maqedonisë, fqinji i Greqisë, për rinovimin e infrastrukturës së vet hekurudhore Manastir-Kremenicë-Kafkasos, do të përmirësojë lidhjen ekzistuese të transportit midis të dy vendeve si dhe do të zhvillojë më tej fluksin e transportit të njerëzve e mallrave:, tha ERGOSE në një deklaratë.
Hekurudhat janë lajmëtar zhvillimi kudo dhe është më se e rëndësishme të shmanget politika dhe të hartohen të tilla projekte si përparësi dhe realitet, tha Ljube Stojkovski, president i Sindikatës së Transportit dhe Komunikacionit të Maqedonisë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





