ITALI – Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut mori vendimin për gjobitjen e qeverisë italiane me 100.000 euro për mbajtjen e të burgosurve në qeli shumë të vogla. Vendi u obligua ta ndreqë situatën brenda një viti.
Në këtë mënyrë gjykata në Strasburg plotësoi kërkesën që përmbahej në padinë, e cila u paraqit në vitin 2009 nga 7 të burgosur të dy burgjeve italiane. Burrat treguan se ata mbahen të izoluar në një qeli me sipërfaqe 9 m² për 3 të burgosur. Për pasojë secili i burgosur ka në dispozicion vetëm 3 m² hapësirë personale. Ata gjithashtu konfirmuan se në burg ka ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike dhe ujit të nxehtë.