Në 17 tetor gjatë vizitës së tij në Tiranë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron deklaroi se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është pezulluar nga ana e Francës.

Deklarata ngjalli konfuzion në Kosovë, qytetarët e të cilës presin të lëvizin lirisht në Europë nga 1 Janari 2024.

Por Këshilli dhe Komisioni Europian konfirmoi për Faktoje se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është i pezulluar dhe asnjë vend anëtar nuk ka kërkuar diçka të tillë nga unioni.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama një ditë pas samitit të Procesit të Berlinit mbajtur në Tiranë, presidenti francez Emmanuel Macron u bë shkak për konfuzion në Shqipëri dhe Kosovë pas deklaratës se ‘procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është pezulluar’.

“E them me shumë qartësi. Ne ju kemi besuar për çështjen e vizave. Çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet”. – Emmanuel Macron, President of France, 17 Tetor 2023, Tiranë.

Këshilli Europian konfirmoi për Faktoje se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është pezulluar dhe se nuk ka një kërkesë apo nismë për diçka të tillë.

“Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është pezulluar.

Vendimi i Parlamentit Europian dhe Këshillit është miratuar dhe ka hyrë në fuqi.

Asnjë nga vendet anëtare në BE nuk ka kërkuar apo marrë ndonjë iniciativë për të anulluar liberalizimin e vizave për Kosovën prej Janarit 2024″, tha  Këshilli Europian për Faktoje.

Njëkohësisht kërkesës për informacion nga Faktoje iu përgjigj edhe Komisioni Europian duke theksuar se shtetet anëtare të BE-së nuk e kanë një fuqi të tillë.

Shtetet Anëtare individuale nuk mund të vendosin të pezullojnë një regjim pa viza.

Rregullat për dhënien, pezullimin ose përfundimin e përjashtimit nga regjimi i vizave janë plotësisht të harmonizuara në nivel të BE-së dhe kërkojnë vendime në nivel të BE-së“, tha zëdhënësja e Komisionit Europian për punët e brendshme, Anitta Hipper.