Sipas Brukselit zyrtar vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që do të anëtarësohet në Bashkimin Europian do të jetë Mali i Zi.

Shteti fqinj hapi një vit e gjysmë më parë kapitullin e fundit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke u udhëhequr kështu “maratonën” e integrimit Ballkanin Perëndimor. Mali i Zi filloi negociatat e pranimit me Bashkimin Europian në qershor të vitit 2012 dhe sipas zyrtarëve europianë, mund të bëhet zyrtarisht pjesë e unionit në 2025-ën.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, tha se Mali i Zi është në pozitë të mirë për të qenë vendi i parë në rajon që bëhet anëtar i BE-së. Komentet erdhën pas takimit me Kryeministrin e Malit të Zi, Zdravko Krivokapic, në margjinat e Forumit Ekonomik në Athinë.

Krivokapic tha se intensiteti shumë dinamik i kontaktit me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe shtetet anëtare është një lloj konfirmimi për angazhimin e Qeverisë së Malit të Zi për t’u bërë një anëtar i ardhshëm i Bashkimit Europian.

“Ne besojmë në procesin e integrimit europian dhe perspektivën tonë evropiane. Qeveria po punon me kapacitet të plotë për të përmbushur detyrimet nga agjenda evropiane në mënyrë që  që Mali i Zi të bëhet një anëtar i plotë sa më shpejt të jetë e mundur” tha kryeministri malazez.

Mali i Zi dhe Serbia kanë nisur negociatat për anëtarësim para disa vjetësh dhe deri më tani, kanë mbyllur vetëm një numër të kufizuar të kapitujve, Mali i Zi tre dhe Serbia vetëm dy. Mali i Zi ka hapur të gjitha kapitujt negociues, ndërsa Serbia deri më tani ka hapur 18 kapituj.

Por ndryshe nga Mali i Zi, ritmi i procesit të pranimit të Serbisë është ngadalësuar ndjeshëm. Në vitin 2017, Beogradi hapi gjashtë kapituj negociues, dhe në 2018 katër. Këtë vit, ai ka hapur vetëm dy Kapituj të rinj, por edhe nuk ka arritur të mbyllë asnjë të vetme, ndryshe nga Mali i Zi.  Beogradi ka mbetur prapa sipas zyrtarëve europianë për shkak të ngadalësimit të reformave dhe shkeljes së lirive demokratike.