Bashkimi Evropian nuk heq dorë nga demarkimi i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kështu deklaroi gjatë ditës së djeshme shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila zhvilloi disa takime me përfaqësuesit e grupeve parlamentare në Kosovë, shkruan sot gazeta 'Zeri'.
Gjatë takimit që pati me deputetë të pozitës e opozitës (PDK e LVV), Apostolova tha se Kosova duhet të punojë në përmbushjen e dy kritereve të mbetura në mënyrë që të arrihet heqja e vizave. Ajo po ashtu foli edhe për sundimin e ligjit, me ç’rast tha se kjo çështje paraqet njërin prej prioriteteve kryesore të Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, përfaqësuesit e të dy taborëve politikë, me të cilët shefja e zyrës së BE-së u takua gjatë së enjtes, shprehen pakënaqësinë e tyre lidhur me kushtet e vëna Kosovës nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, megjithatë ata i konsideruan të frytshme këto takime me zyrtarët e BE-së.
“Ne jemi kemi këtu me të dyja kushtet dhe kjo është e vërteta”, deklaroi Apostolova gjatë takimit që pati me përfaqësuesit e PDK-së. Ajo me këtë rast tha se BE-ja do ta ndihmojë Kosovën që të arrijë progres më të shpejtë në rrugëtimin për luftimin e krimit dhe korrupsionit, shkruan 'Zeri'.