BRUKSEL- Komisioni Evropian paraqiti të hënën një listë të dytë kundërmasash me vlerë afërsisht 72 miliardë euro për shtetet anëtare të BE-së në rast të dështimit të bisedimeve tregtare me SHBA-në.

Gjatë një konference për shtyp që dha menjëherë pas përfundimit të Këshillit të Punëve të Jashtme mbi çështjet tregtare, Komisioneri deklaroi se BE-ja së pari do të negociojë, por në të njëjtën kohë do të përgatitet për çdo eventualitet.

“Ne mbetemi të bindur se marrëdhënia jonë transatlantike meriton një zgjidhje të negociuar, e cila do të çojë në stabilitet dhe bashkëpunim të ripërtërirë. 

BE-ja nuk dorëzohet kurrë pa përpjekje të vërteta, veçanërisht duke pasur parasysh punën e madhe që është bërë, sa afër jemi arritjes së një marrëveshjeje dhe përfitimet e qarta të një zgjidhjeje të negociuar”, tha Komisioneri i Tregtisë Maroš Šefčovič.

Komisioneri Evropian për Tregtinë, tha gjithashtu se paketa e kundërmasave të BE-së për çelikun dhe aluminin (me vlerë 21 miliardë euro) është pezulluar deri më 1 gusht dhe sot Komisioni u paraqiti shteteve anëtare të BE-së propozimin e tij për një listë të dytë kundërmasash për produktet amerikane, me vlerë rreth 72 miliardë euro.

Ai theksoi, megjithatë, se kjo nuk i shterron mjetet tona dhe çdo mjet mbetet në tryezë. 

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen theksoi se vendet anëtare të BE-së e konsiderojnë kërcënimin e Presidentit të SHBA-së për tarifa prej 30% mbi produktet evropiane “absolutisht të papranueshme”.

“Me unitet, ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat evropiane, nëse është e nevojshme“, tha zëvendësministri i Jashtëm Haris Theocharis.

Fokus marrëdhëniet Kinës- BE-së

Ai tha se Këshilli i sotëm diskutoi sfidat në partneritetin midis SHBA-së dhe Evropës, dinamikën e marrëdhënieve midis Kinës dhe BE-së, si dhe marrëveshjet e tjera në të cilat BE është përfshirë kohët e fundit.

“Sa i përket aleancës sonë transatlantike, ajo është më e rëndësishmja dhe Evropa gjithmonë i jep përparësi bashkëpunimit dhe jo konfrontimit. Megjithatë, me unitet ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat evropiane, nëse është e nevojshme”, theksoi Ch. Theocharis.

Në lidhje me Kinën, Ch. Theocharis deklaroi se u diskutuan prioritetet e BE-së, ndërsa ai pret me padurim një Samit BE-Kinë në javët në vijim, i cili pritet të shkojë përtej simbolikës dhe të sjellë rezultate të prekshme.