Vendet anëtare të Bashkimit Evropian votuan më 1 qershor për ta ratifikuar Konventën e Këshillit të Evropës, një muaj pasi Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për t’iu bashkuar Konventës së Stambollit për ta luftuar dhunën ndaj grave.
Konventa e Stambollit, e hartuar nga Këshilli i Evropës, është instrument ligjor gjithëpërfshirës që synon mbrojtjen e grave nga të gjitha format e dhunës, duke përfshirë dhunën në familje.
Duke iu bashkuar kësaj Konvente, BE-ja si dhe vendet anëtare i bashkohen “zero tolerancës” ndaj dhunës së ushtruar ndaj grave.
“Evropa është në anën e grave, për t’i mbrojtur nga dhuna. Të gjitha gratë dhe vajzat meritojnë një jetë pa dhunë, është koha për drejtësi dhe barazi”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Sot, Bashkimi Evropian po dërgon një sinjal të fortë: ne jemi të vendosur të parandalojmë, dënojmë dhe luftojmë dhunën ndaj grave dhe vajzave në të gjitha format e saj”, shtoi ajo.
Konventa u hartua nga Këshilli i Evropës në vitin 2011. Këshilli i Evropës, i cili nuk është një organ i BE-së, monitoron respektimin e të drejtave të njeriut në 46 shtete anëtare.
Në maj, Parlamenti Evropian votoi në favor të anëtarësimit të BE-së në Konventën e Stambollit.
Marrëveshja nuk është ratifikuar ende në disa vende të BE-së, si Bullgaria, Republika Çeke, Hungaria, Letonia, Lituania dhe Sllovakia. Turqia u tërhoq nga Konventa e Stambollit në Vitin 2021.
Edhe pse Kosova nuk është pjesë e këtij Këshilli, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar këtë konventë më 25 shtator të vitit 2020, duke e bërë atë pjesë të Kushtetutës së Kosovës./rel