Bashkimi Europian, përmes zëdhënësit Peter Stano ka dalë në paralajmërime të hapura kundër Kosovës duke i treguar se do të mbetet vetëm nëse vazhdon të ndjekë me kokëfortësi linjën e saj në lidhje me veriun me shumicë serbe, pa u koordinuar me aleatët për hapat që hedh.
“Nuk kemi asgjë për të thënë për këtë temë të rihapjes së urës. Vetëm mund të rikujtoj për të gjithë ata të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës, BE, SHBA, NATO dhe Britania e Madhe, kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët. Në të kundërt, rrezikon të mbetet e vetmuar dhe prapa të tjerave.”-u shpreh Stano.
Më herët edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e bëri të qartë se Washingtoni nuk e sheh me sy të mirë një lëvizje të tillë, teksa theksoi se hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tregoi me komentet e saj të enjten se Kosova duhet të sigurohet që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Por ajo fshikulloi BE-në me pohimin se Kosova nuk duhet kurrsesi ta diskutojë këtë cështje me Serbinë në Bruksel ndërsa tha se deklaratën e bllokut europian lidhur me urën janë “raciste”.
I pyetur rreth kritikave të zyrtarëve të Qeverisë dhe të Osmanit ndaj BE-së, Stano u përgjigj se nuk ka të bëjë me ndonjë marrëveshje të re, por me zbatimin e asaj të arritur më parë për urën. “Qeverisja e mirë nënkupton që t’u afrohesh dhe t’i angazhosh komunitetet ndaj të cilave kanë ndikim vendimet specifike. Që të merret me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do të thotë të diskutohen modalitetet e implementimit të marrëveshjes së arritur për urën e jo një marrëveshje e re”, ishte komenti i tij.