Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri i ka kërkuar qeverisë më shumë qartësi dhe transparencë në lidhje me marrëveshjen me kompaninë arabe sa i përket projektit të marinës në portin e Durrësit.
Kryetari i Partisë Demokratike në degën e Durrësit, Igli Cara e ka konsideruar këtë reagim të BE-së si një lajm të mirë dhe si një paralajmërim “se po ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet, që më pas do të raportohen në Parlamentit Europian”.
“Ndërkohë qeveria shqiptare, nëpërmjet APD, është tepër e zënë, me zhvillimin e tenderave afatgjatë, megjithëse portin aktual po e çon drejt falimentimit, duke ja adresuar shumicën e shërbimeve portit privat. “, shkruan ndër të tjera Cara në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Reagimi i sotëm i Bashkimit Evropian, që ka kërkuar më shumë qartësi dhe transparencë, për projektin e shumë debatuar të portit të Durrësit është një lajm i mirë për çdo shqiptar.
Duke i tërhequr veshin qeverisë shqiptare, BE i rikujton në mënyrë diplomatike, detyrimet që ka.Njëherësh, duke e paralajmëruar në mënyrë të përsëritur, se po ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet, që më pas do të raportohen në Parlamentit Europian.
Ndërkohë qeveria shqiptare, nëpërmjet APD, është tepër e zënë, me zhvillimin e tenderave afatgjatë, megjithëse portin aktual po e çon drejt falimentimit, duke ja adresuar shumicën e shërbimeve portit privat.
Këmbanat e alarmit kanë kohë që bien!